Skënderbeu është eliminuar nga Liga e Kampioneve pasi u mund në takimin e kthimit ndaj Debreçenit në Hungari me rezultatin 3-0. Ndonëse korçarët shkonin me optimizëm drejt kësaj sfide pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë dhe sidomos falë lojës së mirë të zhvilluar, ndeshja përballë hungarezëve ka treguar përsëri se ekipet shqiptare kanë mangësi të ndjeshme në krahasim me kundërshtarët në turneun elitar të futbollit për klube në Evropë.
Korçarët janë ndëshkuar shumë shpejt, që në minutën e 12-të kur Kulibali ka gjetur golin e avantazhit, për të qetësuar disi vendasit që filluan ndeshjen në sulm. Pavarësisht tentativave nga të dy palët, pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 të Debreçenit që ishte më ngulmues.
Ndërsa korçarët po bëheshin gati të ndryshonin diçka në formacionin e tyre për të tentuar barazimin që ringjallte shanset e kualifikimit, Debreçen gjen edhe golin e dytë në minutën e 58-të me Verga, duke siguruar kalimin e turit, pasi skuadra e drejtuar nga Levi dorëzohet dhe humb qetësinë.
Tashmë kampionët e Shqipërisë janë të çorganizuar në tentativat e tyre për të gjetur rrugën e rrjetës dhe si rrjedhojë e një tjetër pakujdesie në prapavijë pësojnë golin e tretë kur mbeteshin pak minuta nga fundi i sfidës, me autor Kulibali, i cili vulos dygolëshin e tij personal në këtë sfidë.
Ashtu si një vit më parë, Skënderbeu largohet përsëri pa arritur t’i gëzohet një fitoreje në Ligën e Kampioneve, ndërsa mbetet për t’u parë si do të veprojnë drejtuesit e kësaj skuadre, duke filluar nga merkato për sezonin e ri, për të vazhduar me konfirmimin apo jo të trajnerit Levi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 21:48