Italia po kalon një krizë dëmtimesh në prapavijën e saj dhe kjo mund të detyrojë një nga elementët më të fortë të mesfushës së skuadrës, Daniele De Rosin, që të kthehet në qendërmbrojtës në ndeshjen kundër Spanjës.
Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë trajneri i të kaltërve, Çezare Prandeli, në intervistën e parë të dhënë pas mbërritjes në Poloni, aty ku do të qëndrojë gjatë turneut përfaqësuesja italiane.
“Nëse do të luajmë me mbrojtjen me tre futbollistë, atëherë mos u çuditni nëse romanisti është pjesë e prapavijës. Po tentojmë maksimumin për të patur në gatishmëri Barzaljin po nëse nuk ia del mbanë deri ditën e fundit, në vend të tij do të thërrasim Astorin”, tregoi trajneri i Italisë, që pas stërvitjes ka parë një tjetër lojtar t’i dëmtohet, mbrojtësin e djathtë Maxhio i cili shihej si alternativë edhe në mesfushë e përfaqësueses.
Ndërkohë, Federata Italiane ka akuzuar hapur për shpifje mbrojtësin Domeniko Krishito duke hedhur poshtë deklaratën e tij se i ishte premtuar grumbullimi në përfaqësuese nëse do të dëmtohej ndonjë lojtar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 20:01