“Laveci, Kavani e Hamshik? Nuk mund t’i largoj, e për më tepër nuk m’i ka kërkuar askush zyrtarisht”. Këto janë fjalët e Aurelio De Laurentis, presidentit të skuadrës së Napolit i cili sqaron situatën e “tre tenorëve”, siç cilësohen yjet e kësaj skuadre.
“I vetmi që më ka bërë një ofertë është Morati, i cili disa vite më parë më kërkoi Hamshik por unë sapo i kisha hyrë botës së futbollit dhe dëshiroja të shihja së si funksiononin gjërat”, ishin fjalët e tij në radion franceze “RMC”.
“Interesimi i PSZH? Aty është një trajner italian që ndjek lojtarët tanë dhe kjo është diçka shumë e bukur, por si zakonisht janë mediat që flasin për oferta të Kavanit, Lavecit e Hamshik, unë nuk kam marrë asnjë prej tyre zyrtarisht. Për më tepër nuk dëshiroj të largoj asnjërin, pasi më duhet të gjej zëvendësuesin dhe në Itali për të afirmuar një lojtar duhet të paktën një vit. Ne gjatë janarit kemi blerë Edu Vargas, që cilësohet si një talent i madh, të shohim se mos shpërthen vitin e ardhshëm”.
Më pas, ai ka folur për vështirësitë e integrimit të lojtarëve të rinj në ekipet elitë. “Ekspertët e merkatos thonë: ‘President, është më mirë që këtë lojtarin ta lëmë një vit në Serinë B’. Vitin tjetër thonë: ‘Tani është më mirë që të luajë në Serinë A në një klub të vogël’. Unë pyes veten në cilën moshë mund të luajnë këta lojtarë për skuadrën tonë? Te ne mungon plotësisht kuraja për t’i integruar”, ishin fjalët e De Laurentis. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 21:27