Aurelio De Laurentis ka bërë të qartë për mediat italiane se udhëtimi i tij në Londër nuk ka qenë për të takuar Rafael Benitez, siç është shkruar gjatë ditëve të fundit. Presidenti i Napolit ka bërë të qartë se atje ka qenë për çështje personale, por nuk ka fshehur faktin se gjatë javëve të ardhshme, kontaktet me Anglinë do të jenë më të shpeshta pasi po mendon të shesë Edinson Kavanin te Mançester Siti.
“I kam kërkuar Bigon që të flasë me Sitin rreth Kavanit dhe të negociojë mbi Xhekon. Unë jam në gjendje që të pranoj ofertat edhe për një kohë shumë të shkurtër, ndërsa të tjerët kërkojnë më shumë kohë për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai duke iu referuar si shitjes së uruguaianit te anglezët, ashtu edhe transferimit të mundshëm të boshnjakut në radhët e skuadrës italiane.
Përsa i përket trajnerëve, mbetet ende enigmë emri i atij që do të zërë vendin e lënë bosh nga Mazarri, ndonëse favorit mbetet përsëri Benitez.
“Në muajt e fundit kam folur me shumë trajnerë pasi e dija se Mazarri do të largohej, Trajneri i ri do të jetë padyshim një në lartësinë e duhur për Napolin. Tani duhet të kuptoj se cilët janë personat që do të më shoqërojnë në vitin e ardhshëm në krye të skuadrës”, tha ai, duke bërë të qartë se po merr në konsideratë idenë e aplikimit të modelit anglez, ku trajneri është edhe menaxher në skuadër. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 20:00