Trajneri i përfaqësuese shqiptare, Xhani De Biazi, në një intervistë për mediat shqiptare ka treguar se si janë planet e tij me përfaqësuesen, duke iu referuar listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë.
Tekniku italian ka bërë të ditur se disa ndryshime si mosgrumbullimi i Admir Telit, ishin në varësi të eksperimenteve që do të zhvillonte në këtë sfidë.
“Teli është një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës, por ama duhet të provojmë edhe disa lojtarë të tjerë që të kemi alternativa të mjaftueshme gjatë edicionit të ardhshëm që do të jetë një sfidë e bukur, por edhe e vështirë. Telin vendosa të mos e grumbulloj në këtë ndeshje për çështje teknike. Dua të provoj disa lojtarë të tjerë si Osmani, Veliu, apo edhe ndonjë futbollist tjetër. Por ju siguroj se Telin e njoh shumë mirë dhe është në planet e mia”, ishin fjalët e trajnerit në “Panorama Sport”.
Ai më tej ka folur edhe për situatën e sulmuesve, duke filluar nga Sadiku që po gjen me rregullsi rrjetën dhe do të jetë një nga risitë e skuadrës.”A do të jetë Sadiku në Kombëtare? Po, besoj se po, por lista nuk është ende përfundimtare. Në fund të fundit kjo është një miqësore dhe duhet të provojmë disa të rinj, apo jo? Salihi në SHBA? Ai mbetet një sulmues i Kombëtares shqiptare, të cilin unë e vlerësoj shumë. Sigurisht, do të jetë disi më e lodhshme për të, por mendoj se kjo nuk do të përbëjë ndonjë pengesë”.
Më pas biseduaka kaluar te Besart Berisha, sulmuesi shqiptar më në formë. Vetë De Biazi ka konfirmuar se ende nuk i ka idetë e qarta se çfarë të bëjë me lojtarin i cili aktivizohet në Australi. “E di që po ecën mjaft mirë në Australi. Gjithsesi, dua të jem i ndershëm dhe të them se jam akoma në dilemë për Berishën, sepse më parë duhet të marr informacion të bollshëm për nivelin e kampionatit australian. Pra, nuk është dhe aq çështja e largësisë, sesa niveli i futbollit në këtë vend. Gjithsesi, të jeni të bindur se e kam gjithnjë në konsideratë, pasi edhe mua më interesojnë lojtarët që janë në formë dhe do të bëjnë diferencën”, u shpreh De Biazi. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 February 2012 18:11