Fakti që përfaqësuesja shqiptare është kthyer në një pretendente për t’u kualifikuar në Botërorin 2014, ka shtyrë trajnerin De Biasi që të vazhdojë të kërkojë “përforcime” për kuqezinjtë. Kjo është arsyeja pse tekniku italian ka qenë dje në stërvitjen e Sampdorias, për të takuar mbrojtësin kosovar Shkodran Mustafi, me shpresën për të bindur këtë të fundit të veshë fanellën kuqezi.
Mbrojtësi 21 vjeçar ka fituar më shumë hapësirë në radhët e kësaj skuadre në javët e fundit, ndërsa në këtë sezon regjistron deri tani 12 ndeshje të luajtura me ekipin italian. Kosovari ka pasaportë gjermane dhe ka luajtur me kombëtaret U-17 dhe U-19 të Gjermanisë. Por pas kalimit në radhët e Evertonit në Angli, karriera e tij nuk ka shkuar siç shpresonte dhe deri tani ai është injoruar plotësisht nga përfaqësueset e moshave të Gjermanisë. Kjo ka shtyrë trajnerin italian të përfaqësueses shqiptare të shkojë ta takojë atë dhe të kërkojë ta bindë të veshë fanellën kuqezi, mundësisht që në ndeshjet e radhës.
Futbollisti ka premtuar se do të mendohet rreth këtij opsioni mjaft interesant që i është shpalosur nga trajneri i kombëtares shqiptare, iu cili shpreson që përgjigja e mbrojtësit 21 vjeçar të jetë pozitive dhe të bëhen sa më shpejt procedurat e pajisjes së tij me pasaportën shqiptare. Në këtë mënyrë, ai do të ketë një alternativë më shumë në ndeshjen kundër Norvegjisë, ku do të mungojnë dy elementë shumë të rëndësishëm të prapavijës, Cana dhe Lila. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 19:23