Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, i ka dalë në mbrojtje mikut të tij Çezare Prandeli pas disfatës së thellë 4-0 të Italisë në finalen e Euro 2012 përballë Spanjës. Sipas trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Prandeli nuk ka asnjë faj në atë që ndodhi në fushën e lojës, pasi humbja erdhi nga rrethana të tjera.
“Është absurde të kritikosh Prandelin, që ishte protagonisti i vërtetë i kësaj aventure evropiane të Italisë. Duhet të njohim meritat e kundërshtarit para se të nënvizojmë gabimet e Italisë”.
“Spanja është një skuadër shumë e fortë që pësoi një rritje të ndjeshme në krahasim me ndeshjet e para dhe hyri në fushën e lojës në gjendje të shkëlqyer fizike. Ajo ka avantazhin që mund t’i besojë dy blloqeve lojtarësh, atij të Real Madrid dhe atij të Barcelonës, ndërsa ka një lojë të konsoliduar prej kohësh. Nuk është e lehtë të luash kundër asaj që praktikisht është mesfusha e Barcelonës”.
“Dëgjoj të flitet për zëvendësime të gabuara por është e lehtë të flasësh pas një rezultati të tillë. Prandelit duhet vetëm t’i bëhen komplimente pasi kjo Itali është inspiruar pikërisht te loja e Spanjës dhe ka mundur në mënyrë të ndjeshme një skuadër të nivelit të lartë si Gjermania”, ishte komenti i De Biazit.
Tekniku i përfaqësues shqiptare sheh si shkak kryesor të disfatës gjendjen jo të mirë fizike të lojtarëve italianë para finales, duke fajësuar për këtë ndeshjen që shkoi me kohë shtesë në çerekfinalet e turneut.
“Praktikisht ishte një skuadër tjetër, nuk ishte më Italia. Kishte lojtarë shumë të lodhur, shumë prej tyre pësuan tërheqje gjatë pjesës së dytë. Mendoj se të kaltrit paguan shumë shtrenjtë 120 minutat e luajtura kundër Anglisë”, përfundoi De Biasi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 11:40