Fitorja bindëse 4-1 ndaj Lituanisë duket se ka shtuar besimin te trajneri De Biasi se përfaqësuesja jonë mund të bëjë realitet ëndrrën e kualifikimin në Botërorin 2014. Tekniku italian u ka thurur elozhe të gjithë lojtarëve të cilët pavarësisht kushteve të vështira në stadiumin “Qemal Stafa”, kishin dhënë maksimumin në fushën e lojës.
“Goli Mehës ishte si nga një goditje prej një planeti tjetër. Ishte goli më i mirë që prej kohës kur unë po e drejtoj kombëtaren shqiptare”, ishin fjalët e italianit për atë gol spektakolar të shënuar nga mesfushori me goditje dënimi. Por ai u ndal edhe të paraqitja në total e ekipit, jo vetëm në fazën ofensive. “Përveç katër golave, që s’janë pak në një ndeshje futbolli, sot më gëzoi loja dhe koordinimi i lojtarëve në fushën e blertë. Po ashtu kam mbetur tepër i kënaqur nga vrapimi i lojtarëve gjatë gjithë kohës”.
Tekniku më pas ka treguar se si gjatë këtyre dy muajve që na ndajnë nga sfida e radhës me Norvegjinë, do të mendojë si të zëvendësojë 3 lojtarët e ndëshkuar me karton, Cana, Lila dhe Roshi, të cilët do të mungojnë në ndeshjen kundër skandinavëve.
“Është shpejt për të thënë se si do t’i kompensojmë mungesat dhe si do të luajmë në kthim ndaj Norvegjisë. Për të gjitha këto do të mendojmë në këto 75 ditë. Gjëja kryesore që shpresoj është që lojtarët në jenë në kushtet e duhura dhe të mos kenë problem dëmtimesh. Përballja me Norvegjinë është shumë e rëndësishme për ne në këto kualifikuese, ndaj duhet të shkojmë në kushtet e duhura fizike e të shpresojmë të marrim rezultatin e duhur”, tha trajneri italian, i ndërgjegjshëm që një fitore ndaj skandinavëve na bën pretendentë edhe për vendin e parë në grup. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 March 2013 10:24