Fiorentina ka hyrë në garë për të siguruar David Vijan, me shpresën që të bindë nëpërmjet projektit të saj futbollistin e përfaqësues spanjolle, i cili me shumë mundësi do të largohet nga Barcelona. Lajmi është konfirmuar pjesërisht nga menaxheri i lojtarit, Viktor Onate, i cili e ka vlerësuar si një hipotezë të kënaqshme transferimin në një skuadër të tillë.
“Mund të cilësohet e tepruar të flasim për një interesim formal nga Fiorentina, por le të themi se njohim projektin që kjo skuadër ka në mendje”, u shpreh ai për mediat italiane.
“Unë kam punuar te Valencia me drejtorin teknik aktual të Fiorentinës, Eduardo Macia. Jemi miq dhe kontaktojmë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Di që Fiorentina ka kaluar një sezon të mirë dhe shpresojnë që të rriten përsëri”, tha ai.
Onate ka bërë të qartë gjithashtu se vetë largimi i Vija nga Barcelona nuk do të jetë krejtësisht i lehtë.
“Ai është i përqendruar në Kupën e Konfederatave. Të largohesh nga një klub si Barcelona nuk është e lehtë, varet nga shumë faktorë. Një nga këto faktorë është edhe Botërori 2014, ku ai dëshiron të luajë si protagonist. Nëse largohet, jemi në kërkim të një projekti të rëndësishëm”, deklaroi menaxheri i sulmuesit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 13:37