David Vija nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses spanjolle të futbollit në Euro 2012. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë sulmuesi i Barcelonës i cili nëpërmjet klubit katalanas ka bërë të ditur se nuk arrin të riaftësohet në kohë për këtë turne.
Ndonëse trajneri Del Boske kishte bërë të ditur se do të priste futbollistin deri në minutat e fundit para publikimit të listës përfundimtare të pjesëmarrjes në Euro 2012, dëmtimi i Vijas ka zgjatur më shumë sesa mendohej dhe ai do të mbetet jashtë këtij aktiviteti.
“Kam bërë provë gjithçka deri në fund, po nuk mund të jem në 100% të formës time për Evropianin. Kam folur me trajnerin për t’i komunikuar vendimin tim. Ishte gjëja më e ndershme që mund të bëja”, komentoi Vija nëpërmjet adresës së tij në Twitter, ku u ka premtuar tifozëve të tij se do të bëjë maksimumin për t’u kthyer sa më shpejt në fushën e lojës me Barçën dhe me përfaqësuesen spanjolle.
Vendimi i Vija duket se i ka hapur rrugën aktivizimit të Fernando Lorente si titullar në formacionin e mbajtësve në fuqi të trofeut. Me Torres jashtë forme, sulmuesi i Atletik Bilbao duket alternativa më e mirë mundshme për të zëvendësuar Vija në repartin e avancuar të Spanjës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 May 2012 09:20