Mesfushori i Mançester Sitit, David Silva, mendon se lojtarët e kësaj skuadre duhet ta pranojnë faktin se është tërësisht faji i tyre që skuadra po shfaq një formë aspak bindëse në këtë sezon. Kampionët në fuqi të Anglisë janë 6 pikë larg Mançester Junajtid në luftën për titull, ndërsa kanë dalë nga Kupat e Evropës për këtë sezon.
Por Silva insiston se përgjegjësitë për këtë situatë duhet t’i marrin lojtarët dhe jo trajneri Mançini.
“Duhet të pranojmë fajin për mënyrën se si luajtëm në Ligën e Kampioneve. Nuk e nisëm mirë turneun dhe gjithçka u kthye në një tatëpjetë për ne. Por nuk mund të fajësojmë trajnerin për një gjë të tillë”.
“E gjithë ajo që mund të them është se që nga momenti që i jam bashkuar Mançester Sitit, kemi bërë vetëm progres nën drejtimin e Roberto. Për Ligën e Kampioneve, nuk mund të them me saktësi se kush e kishte fajin. Ajo që mund të them tani është se kur erdha te Mançester Siti, drejtuesit kërkonin të ngjiteshin mes katër skuadrave më të mira dhe që atëherë është fituar titulli kampion, kupa FA dhe jemi kualifikuar në Ligën e Kampioneve”.
“Njerëzit nuk duhet të presin që ne të fitojmë menjëherë Ligën e Kampioneve. Ne kemi shumë lojtarë të mirë dhe me kohë do të mbërrijmë edhe aty. Edhe unë dua që ta fitoj këtë trofe me Mançester Sitin, por duhet t’i marrim hapat me radhë”, tha mesfushori i cili është kthyer në një prej elementëve më cilësorë të kësaj skuadre që në momentin kur iu bashkua asaj nga radhët e Valencias. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 December 2012 10:30