Mbrojtësi i Brazilit, David Luiz, ka pranuar se ai dhe shokët e tij në kombëtare po presin me padurim të kenë mundësinë të përballen me Spanjën në Kupën e Konfederatave.
Të dy kombëtaret e kanë nisur me fitore aventurën e tyre në këtë aktivitet dhe Luiz mendon se ecuria mund të krijojë mundësinë që këto dy skuadra të vihen përballë njëra-tjetrës, 14 vite pas herës së fundit.
“Mendoj se të gjithë duam të luajmë kundër Spanjës. Për mua në veçanti, do të ishte fantastike të luaja kundër tyre këtu në Brazil”, tha Luiz. “Spanjollët kanë aktualisht një skuadër të madhe. Ata janë të pjekur dhe luajnë një futboll të bukur. Ata kanë shumë individë të shkëlqyer dhe kanë një skuadër me të vërtetë të madhe”.
Por më parë duhet kaluar pengesa e radhës, Meksika, që do t’i siguronte brazilianëve pjesëmarrjen në fazën tjetër të turneut.
“Ajo është një skuadër e fortë dhe e di që do të na e bëjnë gjithçka më të vështirë për këtë sfidë. Por një fitore na ndihmon të mbetemi në kreun e grupit”, theksoi futbollisti i Çelsit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 14:15