Portieri i Manchester United, David de Gea, do të humbasë vendin në Euro 2016, nëse nuk luan rregullisht me klubin e tij, bëri të ditur trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque.
Portieri 24-vjeçar është lënë jashtë ekipit të United, pasi kërkoi transferimin te Real Madrid, por marrëveshja për kalimin e tij në “Santiago Bernabeu” dështoi në ditën e fundit të merkatos.
“Nëse ai nuk luan do ta ketë shumë të vështirë të vijë me ne në Euro 2016,” deklaroi trajneri i kampionëve të Europës në fuqi, Vicente Del Bosque. De Gea ka luajtur pesë ndeshje për Spanjën, e cila ka si portier titullar Iker Casillas të Portos, që ka luajtur 162 ndeshje me kombëtaren. De Gea është grumbulluar për dy eliminatoret e radhës ndaj Sllovakisë dhe Maqedonisë, transmeton Telegrafi.
“Nëse do të jetë nevoja për të folur me të do t’ia them gjithçka, – tha Del Bosque. – Ai duhet të tregohet profesionist dhe të harrojë këtë transferim të dështuar. Unë uroj që De Gea të nisë të luaj sërish dhe nëse do të luajë ashtu siç di, atëherë do të vazhdojë të jetë pjesë e Spanjës.”
Ndërkohë, shoku i tij te Manchester United dhe Spanja, Juan Mata, tha për gazetën “AS” se De Gea do ta përballojë këtë situatë “Ai është një portier i madh dhe skuadra jonë është më e fortë nëse ai mbron portën. Tifozët dhe të gjithë ne do ta mbështesim. De Gea do të dalë me kokën lart nga ky moment dhe do të rikthehet ai që ka qenë”.
Thursday, 03 September 2015 12:33