Deklarata e presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, se është një lojtar i Real Madrid që i pëlqen shumë, ka bërë që gazetarët të fillojnë një lloj ankete rreth preferencave të mundshme që vetë lojtarët katalanas kanë ndaj rivalëve historikë. Por Dani Alvesh ka bërë të qartë se ai nuk do të dëshironte asnjë nga lojtarët e Realit, pasi sipas tij Barcelona është mëse e fortë me kontingjentin aktual.
“Nuk do të merrja askënd nga Reali. Ne jemi të plotësuar në të gjitha pozicionet në fushë. Nëse ata nuk do të luanin për Realin, edhe mund të kisha zgjedhur ndonjë prej tyre, por meqë janë atje, nuk preferoj askënd”, tha futbollisti para ndeshjes mes dy skuadrave në Kupën e Mbretit.
Ashtu si shokët e tij të skuadrës, edhe braziliani mendon se Barcelona nuk do të luajë në mbrojtje në ndeshjen e kthimit ndaj Realit, edhe pse i mjafton një barazim 0-0 për të kaluar turin përballë madrilenëve.
“Ne nuk dimë të luajmë për 0-0. Ne luajmë për të fituar, jo për të mbrojtur një rezultat. Ne do të sulmojmë që nga minuta e parë. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Këto janë përballje klasike dhe do të jenë të shkëlqyera. Por gjithçka është në dorën tonë”, tha Alvesh. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 February 2013 09:27