Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh, beson se Pep Guardiola është larguar nga klubi pasi lojtarët “nuk i përgjigjeshin më ashtu siç dëshironte”.
Brenda katër viteve në drejtim, Guardiola u kthye në trajnerin më të suksesshëm të historisë së klubit katalanas. Por në fund të edicionit të kaluar ai mori vendimin që të jepte dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, një vendim që Alvesh mendon se e ka shkaktuar ai bashkë me shokët e skuadrës.
“Pep tha se ai do të largohej vetëm kur ne të mos i përgjigjeshim më”, tha Alvesh në një intervistë për “Le Buteur”. “Ne nuk iu përgjigjëm në fushën e lojës ashtu siç do të donte ai dhe kjo është arsyeja pse lojtarët e ndjejnë veten përgjegjës për largimin e tij”, pranoi mbrojtësi brazilian.
Ndërkohë, mediat spanjolle bëjnë të ditur se pritet që gjatë këtyre ditëve, Guardiola të kthehet në Spanjë dhe të diskutojë me menaxherin e tij ofertat që i kanë ardhur nga klube të ndryshme.
Sipas të përditshmes sportive “AS”, për Guardiolën janë interesuar zyrtarisht Mançester Siti, Çelsi, Milan dhe Bajern Mynih, ashtu si edhe Federatat e Katarit, Anglisë, Kilit dhe Brazilit, të cilat me sa duket janë të gatshme t’i ofrojnë atij postin e trajnerit të kombëtares së këtyre vendeve. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 10:14