Tiranë – Mbrojtësi kosovar i kombëtares shqiptare të futbollit, Debatik Curri, pret që të rikthehet në fushën e blertë pas dy javësh.
Në shtator të vitit të kaluar, 26-vjeçari Curri dëmtoi ligamentet e gjurit dhe iu kthye stërvitjeve javën e shkuar. Futbollisti i Gençlerbirligisë në kampionatin turk pret që të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Beshiktashit që zhvillohet më 17 prill. Ky takim është i vlefshëm për javën e 29-të të Superligës së Turqisë.
“Po bëhet një javë që kam nisur të stërvitem bashkë me skuadrën dhe po ndihem jashtëzakonisht mirë. Shpresoj të kthehem pas dy javësh dhe të luaj disa minuta kundër Beshiktashit”, ka deklaruar Curri për mediat.
“Kam mungesë të kondicionit fizik, por besoj që për dy javë mund të përgatitem. Gjashtë muajt e fundit ishin dëshpërues për mua. Futbolli më ka munguar shumë. Shpresoj që kthimi im do të jetë pozitiv për skuadrën, pasi ndodhemi në një pozitë të vështirë”, ka pohuar Curri.
“Duhet të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe të sigurojmë ekzistencën”, shtoi kosovari i Kombëtares kuqezi. Pas javës së 27-të, Gençlerbirligi mban vendin e 14-të me 28 pikë të grumbulluara.
Në verë të vitit të kaluar, Curri u transferua nga skuadra ukrainase Vorskla Poltava te Gençlerbirglija. Me ekipin turk ai ka zhvilluar pesë ndeshje dhe para se të dëmtohej ishte në formacionin bazë në të gjitha këto takime.
Rikthimi i Curit është një lajm i mirë edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, kroatin Josip Kuzhe, i cili do të ketë kështu në dispozicion për ndeshjet e ardhshme për eliminatoret e Euro 2012 në grupin D edhe mbrojtësin Debatik Curri.
Saturday, 02 April 2011 16:35