Sulmuesi i Real Madrid, Cristiano Ronaldo, është i lumtur që ka arritur të barazojë rekordin e golave të shënuar, duke theksuar se ky nuk është obsesion i tij.
Ai në “El Madrigal” kundër Villarealit ka shënuar golin e 38-të në La Liga, kurse vikendin e ardhshëm kundër Almerias në Santiago Bernabeu ka shanse që edhe të thyejë këtë rekord.
Rekordi ka qenë me 38 gola, i vendosur nga meksikani Hugo Sanchez, po tek Real Madrid, në sezonin 1989/1990 dhe Telmo Zara nga Atletic Bilbao, i cili ka shënuar po aq gola në sezonin 1950/1951.
“Jam shumë i lumtur që kam barazuar rekordin me Sanchez dhe Zara. E vërtetë është që nuk e kam pritur se do të shënoj kaq gola këtë vit dhe kam nderin që kam arritur dy legjendat e futbollit. Me rëndësi është që kemi fituar, pasi trajneri dhe lojtarët dëshirojnë të përfundojmë sezonin me sukses”, ka thënë Ronaldo pas ndeshjes.
“Dëshiroj të shënoj edhe kundër Almerias. Kam tentuar disa herë të shënoj nga gjuajtjet e lira, mirëpo nuk kam pasur fat deri më tani. Jam i lumtur në planin personal dhe profesional, pasi i tërë ekipi është mirë”, ka përfunduar Ronaldo.
Ne anën tjetër, bashkëlojtari i CR7 dhe kapiteni madrilen, Iker Casilias, e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo, i cili në takimin ndaj Villarrealit barazoi rekordin “Pichichi”, me 38 gola të shënuar në një sezon në La Liga.
“Ai është lojtar vendimtar dhe me ndikim. Shumë pak futbollistë janë të aftë të arrijnë numrat që ka arritur ai. Vetëm tre lojtarë e kanë bërë atë Telmo Zarra, Hugo Sanchez dhe Cristiano Ronaldo, gjë që flet për talentin që ai posedon”, ka thënë Casillas.
Tuesday, 17 May 2011 15:49