Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se nuk i intereson asnjë trofe personal dhe se qëllimi i tij në këtë sezon ishte vetëm titulli kampion me Real Madrid.
“Ajo që doja më shumë ishte të fitoja kampionatin spanjoll. I kam dy “Këpucë të Arta” në shtëpi. Ndaj nuk e vras mendjen nëse nuk fitoj renditjen e golashënuesit më të mirë”, ishin fjalët e portugezit, i cili këtë sezon ka shënuar 44 gola, dy gola më pak se Mesi në kampionat.
Lojtari ka treguar se pret me padurim festën e titullit, në një sezon ku lufta ka qenë më e ashpër për shkak të rivalitetit me Barcelonën. “Jemi shumë të lumtur pasi kemi fituar një kampionat shumë të vështirë. Të luash kundër një ekipi si Barcelona është e vështirë. Ishim superiorë ndaj tyre dhe këtë e tregojnë 7 pikët që kemi avantazh në renditje. Tani shpresoj që festa e tifozëve të jetë madhështore”, tha ai.
Por futbollisti portugez është bërë menjëherë pre e kritikave pasi ka festuar fitoren në mënyrë antisportive pas përfundimit të ndeshjes me Atletik Bilbaon.
Ndërsa lojtarët e Realit po mblidheshin në mesin e fushës, futbollisti kundërshtar Havi Martinez i është afruar dhe i ka thënë diçka. Reagimi i Kristiano Ronaldos, ishte një gjest i pahijshëm ndaj kundërshtarit të tij. Më pas, ai ka vazhduar duke provokuar tifozët e skuadrës vendase, duke u bërë me shenjë stadiumin dhe më pas kurorën e stemës së Realit, si për të treguar se ata ishin mbretër në stadiumin “San Mames”.
Por një reagim i tillë nuk i ka pëlqyer vendasve, pasi dihet që krahina Baske, ku gjendet Bilbao, nuk është se i ka shumë qejf madrilenët dhe prej kohësh kërkon autonominë e plotë nga Spanja, ndërsa edhe organizata e ekstremistëve ETA është pikërisht nga kjo krahinë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 03 May 2012 14:20