Kristiano Ronaldo është i bindur se në sezonin e fundit ai ka arritur të fitojë kampionatin me të vështirë në botë, atë spanjoll, ndërsa ka treguar se vazhdon t’i gëzohet suksesit që arriti të triumfojë në këtë turne kaq të vështirë.
Futbollisti portugez ka luajtur një rol kryesor në suksesin e Real Madrid në kampionat, duke shënuar 46 gola, ndërsa pranon se mundja e Barcelonës pas tre viteve dominim radhazi ishte maja e suksesit të tij në karrierën me madrilenët.
“Mendoj se momenti më i mirë deri tani ishte fitorja e kampionatit”, tha ai gjatë një interviste për televizionin shtetëror në Tajlandë, ku gjendet për një turne promocional. “E them këtë pasi mendoj se kampionati spanjoll është më i vështiri në botë. Ai ka skuadra të mëdha si Barcelona dhe të përfundosh 9 pikë para saj… kjo do të thotë shumë”.
Më pas, lojtari iu kthye diskutimit të gjatë të penalltive në humbjen në gjysmëfinalet e Euro 2012 me Portugalinë ku ai nuk pati rastin të realizonte gjuajtjen e tij kundër Spanjës pasi kishte zgjedhur penalltinë e 5-të.
“Këto janë thjesht vendime të momentit. Unë kujtoj që kur luajtëm në Ligën e Kampioneve përballë Bajern Mynih, gjuajta i pari dhe humba penalltinë. Ndaj gjithçka mund të ndodhë pasi penalltitë janë thjesht lotari”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 11:59