Nuk kanë kufi çmenduritë amerikane sa herë që Real Madrid viziton SHBA. Numri i madh i tifozëve që ky klub ka përtej oqeanit bën që sa herë që madrilenët vizitojnë Amerikën e Veriut, tifozët e tyre janë të gatshëm të paguajnë shuma të çmendura vetëm për të parë nga afër idhujt e ekipit evropian.
Një stërvitje, një seance e thjesht punë për Zhoze Murinjon dhe lojtarët, kthehet në një eveniment spektakolar mediatik në Los Anxhlos. Disa tifozë, janë të gatshëm të paguajnë 311 euro për të parë një seance të tillë me 4 gusht në ambientet e UCLA.
Ky është çmimi për zonën VIP, e cila përfshin qëndrimin në një zonë të mbuluar, për t’u mbrojtur nga dielli, si dhe mundësinë për të bërë foto me lojtarët pak minuta para stërvitjes. E përfshirë në çmim është edhe mundësia për të provuar ushqimin tipik që i shërbehet skuadrës madrilene çdo mëngjes para stërvitjes.
Për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë këtë shërbim “ekskluziv”, ekziston edhe mundësia për të ndjekur thjesht nga larg stërvitjen e ekipit të Murinjos, të ulur në shkallët e stadiumit të vogël të qendrës universitare. Përveç të qëndruarit ulur, nuk ka asnjë luks tjetër dhe kushton 69 euro, një çmim i pabesueshëm në këtë anë të Atlantikut.
Kjo nuk do të jetë vizita e parë e madrilenëve në Los Anxhelos, pasi ata kanë zhvilluar edhe më parë turne në SHBA, në vitet 2010 dhe 2011. Këtë sezon ata do të zhvillojnë në tokën amerikane katër ndeshje përgatitore, duke luajtur kundër LA Galaksi, Santos Laguna, Milan dhe Sëlltik Gllasgou. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 17:01