Policia bëri të ditur masat që do të merren për mbarëvajten e sfidës kaq të rëndësishme Shqipëri – Serbi.
Qyteti i Elbasanit do të jetë i paralizuar në një pjes ëtë mirë të rrugëve gjatë ditës së ndeshjes.
Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë rreth 4 orë para nisjes së takimit dhe për të ruajtur rendin do të jenë 1500 forca policore dhe më shumë se 300 punonjës sigurie të kontraktuar nga FSHF, shkruan “Sportal.al”.
Masat për ditën e ndeshjes
Agjencitë ligjzbatuese në vend duke parë rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka te opinioni sportiv ndeshje Shqipëri – Serbi, janë të angazhuara maksimalisht për të shmangur incidentin më të vogël në këtë përballje, që do të dëmtonte Kombëtaren Kuqezi. Kështu Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, ka bërë publike masat që ka marrë për mbarëvajtjen e takimit, duke u kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve elbasanas, të cilët duhet të evitojnë qarkullimin në disa akse rrugorë të qytetit.
Në orën 08:00, të datës 8 tetor do të bllokohen disa segmente rrugore si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në këto akse rrugore: Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës për në Librazhd.
Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga 1 Maji deri tek ish-konservimi i vjetër
Nga ish-konservimi i vjetër deri te Hajrullajt.
Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës.
Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit.
Nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve në dy bulevardët kryesorë.
Me qëllim shmangien e radhëve të gjata hyrja e sportdashësve në stadium do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15.
Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 1500 punonjës policie, nga këto 308 punonjës policie do të jenë nga Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan.
Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.
Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe nuk duhet të kenë me vete:
a) sende të forta,
b) shishe (të çfarëdolloj)
c) fishekzjarrë
d) monedha apo metale (të çfarëdolloj)
Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.
Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Të gjitha lokalet që ndodhen në Bulevardin “Aqif Pasha”, nga Stadiumi deri tek Shatërvani, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura. Në të gjitha ballkonet, ambientet dhe pallatet përreth Stadiumit, nuk do të lejohen persona që nuk janë pjesëtarë të familjes. Drejtoria Policisë Elbasan u kërkon qytetarëve që të minimizojnë më 8 tetor lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.
Tuesday, 06 October 2015 16:03