Klubi i Çivas Guadalahara në Meksikë ka bërë të ditur se ka shkarkuar nga detyra holandezin Johan Krujf. Legjenda e futbollit botëror, të cilit i jepen meritat për ndërtimin e sistemit të klubit të Barcelonës, ka shërbyer si një këshilltar i kësaj skuadre që nga muaji shkurt, ndërsa asokohe deklaroi se kishte një kontratë trevjeçare.
Nën drejtimin e ish-lojtarit e trajnerit të Barcelonën, Çivas vendosi në drejtim të skuadrës trajnerin holandez Xhon Van’t Ship dhe rregulloi fushën me bar në stadiumin e vet. Por sukseset nuk erdhën dhe ekipi e përfundoi sezonin e rregullt në vendin e 8-të, duke u eliminuar më pas në raundin parë të play-off, ndërsa u eliminua që në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve të CONCACAF.
“Stafi teknik i skuadrës nuk do të ketë ndryshime”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi meksikan, duke bërë të qartë se Van’t Ship do të vazhdonte të drejtonte ekipin dhe se vetëm Krujf shihej si shkaktar i dështimit.
Vetëm një muaj më parë, pronari i Çivas, Horge Vergara, deklaroi se Krujf do ta ndihmonte të gjente një trajner të mirë për klubin tjetër të tijin në MLS, Çivas USA. Në të njëjtën konferencë për shtyp, ai tha se emri i ri do të bëhej i ditur brenda 10 ditëve. Thuajse një muaj më vonë, Çivas USA nuk ka ende trajner, ndërsa Krujf nuk është më pjesë e menaxhimit të klubit me bazë meksikane.
Çivas Guadalahara është klubi më i suksesshëm në Meksikë, pasi ka fituar 11 herë titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 December 2012 11:12