Çelsi ka nisur bisedimet me Porto për yllin e tyre, sulmuesin brazilian Hulk.
Sipas “Daily Mail”, bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe mendohet që gjithçka të mbyllet para fillimit të merkatos verore.
Kuptohet që ngërçi i vetëm mes palëve është shuma e lartë që kërkon Porto për futbollistin, klauzola e largimit e të cilit është 85 milionë paund. Megjithatë, dy klubet po flasin me njëri-tjetrin në mënyrë që të bien dakord për shumën e transferimit të futbollistit.
Shkak për këtë lëvizje të menjëhershme të klubit londinez janë bërë kërkesat e larta të Didier Drogba për rinovimin e kontratës së tij.
Sulmuesit nga Bregu i Fildishtë i kanë mbetur edhe 5 muaj në kontratën ekzistuese me Çelsin dhe ai u ka bërë të qartë londinezëve se do të pranojë të firmosë vetëm nëse i garantojnë 6 milionë paund neto në vit.
Meqenëse Drogba ka shumë admirues dhe ka “luksin” të zgjedhë të largohet përfundimisht, drejtuesit e Çelsit po mendojnë të gjejnë sa më parë një sulmues të fortë për ta zëvendësuar dhe Hulk duket varianti më i mirë i mundshëm për momentin. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 February 2012 13:28