Durimi i Roman Abramoviç ka mbaruar. Andre Vijas-Boas nuk është më trajneri i Çelsit pasi është shkarkuar në mëngjesin e ditës së sotme nga presidenti i klubit londinez, falë 8 muajve mes paraqitje të dobëta dhe zënkave me lojtarët titullarë.
Portugezi i kushtoi klubit 15 milionë euro për ta sjellë në Londër gjatë verës, pasi kaq ishte shifra për prishjen e kontratës së tij ekzistuese me Porton. Por shumë shpejt londinezët kuptuan se ai nuk është se kishte shumë ngjashmëri me ish-shefin e tij, Zhoze Murinjo.
Humbjet e njëpasnjëshme dhe sidomos zënka me lojtarë kryesorë të skuadrës si Lampard e Kol, i kushtuan vendin portugezit, i cili vetëm 2 ditë më parë u shpreh se nuk rrezikonte dhe se kishte mbështetjen e plotë të presidentit të skuadrës. Por disfata me Uest Bromuiç i ka mjaftuar Abramoviç për të marrë vendimin drastik.
Ekipi përkohësisht është lënë në duart e Roberto Di Mateo, i cili do ta drejtojë skuadrën deri në fundin e sezonit,. Më pas do të merret vendimi për emrin e ri në stolin e skuadrës ku deri tani është një garë treshe.
Emri i parë është ai i Rafael Benitez, i cili është trajneri më i mundshëm pasi për momentin është i papunë. Ndërkohë, dy emrat e tjerë që qarkullojnë janë ata të Pep Guardiolës dhe Zhoze Murinjos, por këta të dy duhet më parë të vendosin nëse do të qëndrojnë në ekipet e tyre respektive, Barcelona dhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 March 2012 19:47