Eden Hazard ka treguar se “projekti i Çelsit” është ajo që e bindi të zgjedhë këtë klub përballë rivalëve të Mançester Junajtid. Lojtari belg tregoi vendimin e tij gjatë javës së kaluar, por klubi e konfirmoi akordin vetëm këtë të hënë nëpërmjet një deklarate në faqen e internetit.
Hazard më pas dha një intervistë në një radio franceze gjatë të cilës pranoi se kishte marrë vendimin duke parë se te Çelsi do të kishte më pak konkurrencë për një vend në formacion në krahasim me klubet e tjera si Mançester Junajtid, Real Madrid apo Barcelona.
“Kam thënë gjithmonë se dëshiroja të luaja në Angli. Kishte një betejë mes Çelsit dhe Junajtid, por sipas meje, projekti i Çelsit ishte më i mirë. Kur ata fituan Ligën e Kampioneve, atëherë i thashë vetes “Pse jo Çelsi!”. Kjo skuadër është e re dhe kam më shumë shanse për të luajtur këtu. Në moshën 21 vjeçare, te Reali apo Barça do të kishte qenë më e vështirë për mua, ndërsa te Çelsi, po u paraqita mirë do të fitoj një vend në formacionin titullar”.
“Jam shumë i lumtur që më në fund erdha këtu, është një klub fantastik dhe pres me padurim që të filloj aventurën time këtu”, tha lojtari që sot zhvilloi edhe vizitat mjekësore në ambientet e klubit anglez.
Monday, 04 June 2012 20:37