Gazeta britanike “Daily Mail” ka bërë të ditur se Çelsi është shumë pranë finalizimit të një marrëveshje prej 35 milion paund për blerjen e sulmuesit Hulk nga Porto, një ditë pasi vetë menaxheri i lojtarit deklaroi publikisht se ishte në negociata me katër klube angleze.
Totenhemi ishte skuadra e vetme që menaxheri Teodoro Fonseka përmendi, por mësohet se skuadrat e tjera të interesuara në këtë “garë” janë Çelsi, Mançester Siti dhe Liverpuli, të cilat kanë bërë ofertat e tyre të para për 25 vjeçarin.
Porto fillimisht kërkoi klauzolën e plotë prej 85 milion paund që është në kontratën e lojtarit, ndërsa tani presidenti Pinto Da Kosta ka pranuar se nuk do të refuzojë oferta që janë sa gjysma e kësaj shumë të ekzagjeruar që u vendos në kontratën e futbollistit.
Çelsi do të dëshironte që futbollisti të kthehej në sulmuesin e majtë të dyshes që pritet të formojë me Edinson Kavanin e Napolit, objektivi tjetër i merkatos së londinezëve. Futbollisti uruguaian pritet të kushtojë po aq sa sulmuesi brazilian i Portos, por Çelsi është gati të shpenzojë shuma të mëdha për të siguruar këtë dyshe që do ta kthente repartin e avancuar të bluve në një prej më të frikshëmve në kampionatin anglez dhe Evropë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 April 2012 10:03