Pep Guardiola vazhdon jetën e tij të qetë në Nju Jork, ku pritet të marrë një vendim rreth të ardhmes së tij. Por sipas gazetës “Marca”, trajneri është shumë pranë pranimit të një oferte të Çelsit, i cili është klubi që plotëson të gjitha kushtet e mundshme të Guardiolës, me një projekt ambicioz.
Roman Abramoviç nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për të patur trajnerin katalanas në drejtimin e skuadrës dhe e ka kërkuar atë që në kohën kur ky i fundit drejtonte Barcelonën. Për këtë arsye, ai është gati që në janar të fillojë edhe një herë sulmin për trajnerin, duke synuar që ta afrojë sa më parë të klubi i tij.
Çelsi aktualisht i ofron projektin sportiv më të mirë ndër të gjitha klubet e tjera që interesohen për të, pasi ka një skuadër të re në moshë, me lojtarë shumë të talentuar. Ndër të tjera, Abramoviç është i predispozuar të shpenzojë shuma të mëdha për të ndryshuar skuadrën në varësi të kërkesave të spanjollit.
Një mundësi e tillë nuk i jepet në klube si Bajern Mynih e Milan, ku buxheti financiar është i kufizuar, pasi këto klube kanë një administrim ndryshe dhe nuk hedhin para lehtësisht për blerjen e lojtarëve.
E vetmja pengesë e Çelsit mban emrin Mançester Siti. Kampionët e Anglisë kanë mbushur stafin me ish-bashkëpunëtorë të Guardiolës, e ndonëse insistojnë se nuk kanë ndër mend të lëvizin trajnerin Mançini, sheikët do të ishin të gatshëm të sillnin në drejtim një trajner me më shumë prestigj, siç është Guardiola.
Kontaktet do të fillojnë në janar, atëherë kur Guardiola do të pranojë të gjitha ofertat që i vijnë për të vendosur më pas se me cilën prej tyre do të rifillojë punën në sezonin 2013-2014. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 16:30