Zhoze Murinjo ka lëshuar një deklaratë mjaft të bujshme për “Sky Sports” në Angli, dukë bërë të qartë se dashuron Londrën, do të kthehet në kampionatin anglez dhe mbi të gjitha nuk përjashton mundësinë që të kthehet te Çelsi.
“Ne momentin që flasim, janë krejtësisht jashtë çdo bisede apo spekulimi, ndërsa njerëzit që më njohin mirë e dinë që mendoj vetëm për punën time te Real Madrid”, tha Murinjo.
“Kam lidhje të mëdha emocionale me Çelsin dhe mendoj se një ditë natyrshëm që do të kthehem në futbollin anglez, me këtë skuadër apo një tjetër. Sigurisht që Çelsi për mua ka një kuptim tjetër, është një klub që e kam në zemër, ashtu si Interin. Por vizitat e mia në Londër janë normale, ashtu si janë normale ato që bëj në vendlindjen time, në Portugali”.
Portugezi më pas është munduar disi që të shuajë spekulimet rreth tij, duke deklaruar se për momentin nuk sheh një pankinë bosh në Angli.
“Mendoj se Mançester Junajtid është mbretëria e Sër Aleks dhe do të dëshiroja shumë që ai vend pune të mbetej i tij përgjithmonë, edhe për shumë e shumë vite të tjera. Në karrigen tjetër të Mançesterit është Roberto që ka një kontratë. Ai ishte kampion dy vite më parë ndaj mendoj se nuk do të lëvizë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për të. Edhe për Benitez uroj që gjërat të shkojnë sa më mirë”, tha ai për teknikun aktual të Çelsit.
“Vizitat e mia në Londër duhet t’i shihni si gjëra normale pasi kam një shtëpi këtu, na pëlqen të jetojmë me familjen këtu dhe vajza ime do të vijë me shkollë në Londër. Por sa herë që vi dhe njerëzit më shohin duke bërë shoping, njerëzit fillojnë e bëjnë menjëherë lidhje me një kthim të mundshëm. Mua më pëlqen shuam ky vend dhe e di që do të kthehem ndonjë ditë, ndaj edhe unë i ndihmoj shpesh këto spekulime”, ka pranuar trajneri portugez i Realit.
Sipas mediave angleze, ai ka arritur të gjejë një akord parimor me Roman Abramoviç dhe pritet që në fund të sezonit të largohet nga Real Madrid për t’u kthyer te Çelsi ku do të firmosë një kontratë trevjeçare. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 March 2013 16:48