Skuadra e Formula 1, Suaber, ka konfirmuar se ka filluar një partneritet të ri me klubin anglez të Çelsit. Gjatë kohëve të fundit, kjo skuadër kishte vënë në makinë fraza që përfshinin fjalën “Blu” por pa treguar asnjëherë çfarë kuptimi kishin.
Tani marrëveshja u konfirmua dhe që nga Çmimi i Madh i Spanjës, logoja e skuadrës angleze do të jetë në makinat e kësaj skuderie.
“Një partneritet i tillë mes futbollit dhe Formula 1 nuk ka ekzistuar asnjëherë në këtë formë, ndonëse ka mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi”, tha CEO e ekipit të Formula 1, Monisha Kaltenborn. “Në të dy rastet po flasim për lojë ekipore në nivelin më të lartë ndërkombëtar”.
“Po presim me padurim këtë bashkëpunim dhe përgëzojmë Çelsin që ka arritur në finalen e Ligës së Kampioneve”.
Edhe shefi ekzekutiv i Çelsit, Ron Gurlei, mendon se bashkëpunimi do të jetë shumë i frytshëm. “Ky është një partneritet që sheh një klub futbolli të kombinohet me një skuadër të Formula 1, duke bashkuar dy nga sportet më të mëdha në botë dhe tifozët tanë gjithashtu. Ne ndjejmë se kjo skuadër zvicerane, e katërta për nga vjetërsia mes atyre ekzistuese, pasqyron plotësisht idealet tona”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 April 2012 15:28