Roman Abramoviç i ka thënë bashkëpunëtorëve të tij te Çelsi që të kontaktojnë Atletiko Madrid për të realizuar transferimin prej 60 milion eurosh të Radamel Falkao që në merkaton e janarit. Sipas “Daily Mail”, pronari i Çelsit e sheh kolumbianin si yllin e ardhshëm të futbollit botëror që do të shkelë në “Stemford Brixh” dhe për këtë arsye ai ka bërë të qartë se do të aprovojë çdo shpenzim për të siguruar sa më shpejt këtë futbollist.
Sulmuesi i Atletiko Madrid i interesoi klubit londinez që në verën e kaluar, kur drejtimin e skuadrës e mori Andre Vijas Boas, por asokohe, Abramoviç nuk ishte gati të shpenzonte 35 milion paund për ta marrë nga Porto, gjë të cilën e bëri Atletiko Madrid.
Drejtuesit e Çelsit tashmë janë të sigurt se mund të arrijnë një marrëveshje me madrilenët, të cilët janë të gatshëm ta shesin atë, për sa kohë që një klub paguan klauzolën e tij të largimit prej 60 milion eurosh.
Një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për të mbuluar borxhin e klubit spanjoll ndaj një kompanie të tretë e cila i huazoi para në mënyrë që sulmuesi të transferohej në Spanjë, një kompani ku bashkëpronar është menaxheri i lojtarit, Horge Mendez.
Ndonëse Çelsi ka shpenzuar rreth 60 milion paund në verë, është gati t’i shtojë edhe 46 milion paund që nevojiten për blerjen e Falkao, në mënyrë që ta vendosë atë përkrah emrave të tjerë si Hazard, Oskar e Moses, për të bërë transformimin e plotë të skuadrës nga supermbrojtëse, në superofensive.
Transferimi i Falkao drejt Çelsit hap përsëri rrugën e një largimi të mundshëm të Fernando Torres nga blutë, pasi sulmuesi spanjoll duket se nuk po arrin të ambientohet plotësisht me skuadrën londineze. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 15:01