Radamel Falkao, sulmuesi kolumbian i cili me tre golat e tij shkatërroi Çelsin në ndeshjen e Superkupës së Evropës, mund t’i bashkohet londinezëve gjatë merkatos së janarit. Mediat në Amerikën e Jugut bënë të ditur se klubi i lojtarit, Atletiko Madrid, dhe Çelsi, kanë arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e futbollistit, në një akord që kap shifrën e 48 milion paund.
26 vjeçari Falkao, ka shënuar 6 gola në tre ndeshjet e para të sezonit dhe shihet si një nga sulmuesit më vdekjeprurës në botë. Në sezonin e kaluar, vetëm Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo arritën të shënonin më shumë gola në kampionatin spanjoll sesa sulmuesi i Atletiko.
Por problemet financiare që po kalon klubi si dhe fakti që merkaton e Çelsit e kontrollon Horge Mendes, menaxheri i futbollistit kolumbian, bëjnë të duket se marrëveshja mund të realizohet sapo të rihapet merkato me 1 janar.
Skuadra e Roberto Di Mateos ka bërë një fillim mjaft të mirë në kampionatin anglez, duke fituar të tre ndeshjet e para. Por përballë kundërshtarëve seriozë si Mançester Siti në Superkupën e Anglisë dhe Atletiko Madrid në Superkupën e Evropës, londinezët shfaqën probleme të mëdha. Te takimi më i fundit, ishte pikërisht Falkao që shkatërroi londinezët, duke u bërë futbollisti i parë në 35 vite histori që shënonte 3 gola në një ndeshje të Superkupës së Evropës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 September 2012 11:01