Andre Vijas-Boas do të ketë në dispozicion 150 milionë sterlina për t’i shpenzuar gjatë merkatos së janarit. Pronari i Çelsit, multimiliarderi Roman Abramoviç ka bërë të ditur se do të mbështesë çdo investim që kërkohet për të përforcuar ekipin pas largimeve që do të ketë në janar. Shpenzimet në merkato shihen si mëse të domosdoshme duke parë diferencën e ndjeshme të krijuar që në gjysmën e parë të sezonit me dy ekipet e Mançesterit që po dominojnë në kampionatin anglez.
Objektivi kryesor i Çelsit për momentin është dyshja e Napolit, Kavani-Hamshik. Për sulmuesin uruguaian, Vijas-Boas është gati të shpenzojë 50 milionë stërlina, duke parë se aktualisht ai është një prej bomberave më në formë në Evropë. Një ofertë e tillë vështirë se do të refuzohet nga drejtuesit e Napolit, të cilët kanë gjetur tashmë zëvendësuesin e tij, 20 vjeçarin Edu Vargas. Ndërsa për mesfushorin 24 vjeçar Hamshik, janë të shumta klubet që e ndjekin me vëmendje dhe oferta e parë prej 30 milionë sterlinash mund të mos kënaqë klubin italian.
Emri i tretë në listën e blerjeve është ai i mesfushori serb të Juventusit, Milosh Krasiç, i cili është gati të largohet nga skuadra italiane gjatë merkatos së janarit për të gjetur një ekip ku mund të kthehet titullar. Gjithsesi, blerja e parë e konfirmuar do të jetë ajo e Geri Kahill, qendërmbrojtësit të Bolton, për 7 milionë stërlina. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 December 2011 13:59