Lorik Cana është gati për një tjetër përballje gjigande këtë fundjavë, përballë Interit, ku ekipi i Lacios do të luajë shanset për kualifikimin në Ligën e Kampioneve. I zgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serinë A për paraqitjen dhe golin e shkëlqyer që ka shënuar kundër Atalantës, Cana ka treguar se kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë dhe premton luftë ndaj zikaltërve.
“Inter mbetet Inter. Edhe pse është një vit i vështirë për ta, kanë shumë kampionë në skuadër. I pamë në derbi, kanë bërë një ndeshje të jashtëzakonshme. Përgatitim këtë ndeshje kundër një kundërshtari të fortë, por ndaj rivalëve të këtij niveli kemi bërë gjithmonë takime të mira. Kundër Milan, Juventusit, Romës, Napolit… pavarësisht rezultatit kemi bërë paraqitje të mira. Ky është mentaliteti i këtij klubi, që dëshiron gjithmonë 11 luftëtarë në fushë. Me këtë mentalitet, Lacio mund të fitojë çdo ndeshje. Të dielën do të jetë sigurisht një nga këto ndeshje”.
Futbollisti shqiptar ka treguar dëshirën e tij për të luajtur në qendër të mbrojtjes, aty ku luan edhe me kombëtaren kuqezi. “Sinqerisht, preferoj të luaj në qendër. Më pëlqen shumë të luaj qendërmbrojtës, ose mesfushor qendre. Shpesh kam bërë edhe lojtarin në krah, nuk është karakteristikë e imja por nëse skuadra ka nevojë, e bëj pa problem. Por e përsërit se ky nuk është roli im”, tha Cana që shpesh është sakrifikuar në këtë pozicion.
Në fund, mesfushori shqiptar ka folur edhe për kombëtaren shqiptare dhe sidomos për trajnerin Xhani De Biasi, i cili ka marrë drejtimin e kuqezinjve këtë vit.
“E kam takuar në Shqipëri, ndërsa 2-3 herë të tjera ka ardhur të shohë ndeshjet e Lacios, ato kundër Napolit, Juventusit e Parmës. Dëgjohemi shpesh në telefon. Nuk kemi punuar ende bashkë në fushën e lojës por me 22 dhe 27 maj kemi ndeshje miqësore me kombëtaren”, ka përfunduar kapiteni i përfaqësueses shqiptare. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 20:12