Stamboll – Pas ofertës së skuadrës gjermane të Shalke 04, mesfushori i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, duket ka hyrë edhe në planet e skuadrave të Bolton në Angli dhe Lacio në Itali.
Sipas menaxherit dhe njëkohësisht babait të Canës, Agim Cana, “anglezët e Boltonit dhe skuadra e Lacios kanë shtuar interesimin në ditët e fundit për Lorik Canën”.
Kontaktet, drejtuesit e skuadrave të përmendura i kanë filluar me menaxherin e Canës, i cili thekson se “Loriku mund të largohet nga Turqia në fund të sezonit pasi Gallatasaraji mund të mbetet jashtë kupave të Europës”.
“Për momentin dy skuadrat vetëm janë interesuar dhe ndoshta gjatë merkatos verore mund të ketë tratativa zyrtare me futbollistin e kombëtares shqiptare”, shprehet Agim Cana.
Ndërkohë oferta e drejtuesve të Shalkes ka qenë konkrete, zyrtare dhe parashikohet të jetë rreth 6.5 milionë euro. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, u transferua në skuadrën e Gallatasarajt për shumën prej 5 milionë stërlinash.
Mesfushori kosovar, me Gallatasarajin ka kontratë deri me 2014. Cana, 27-vjeçar, gjatë dimrit pati refuzuar disa oferta nga Premier League.
Me fanellën e Gallatasaraj, në Superligën e Turqisë, Lorik Cana është paraqitur 20 herë, duke marrë disa herë kartona dhe duke shënuar vetëm një gol. Gallatasaraj zë vendin e 11-të me 33 pikë të grumbulluara.
Lorik Cana gjatë karrierës së tj ka luajtur edhe në Francë me PSG-në e Marseillen, teksa ka luajtur edhe në Angli për një sezon me Sandërlendin, ku ishte edhe kapiten. Tashmë duket se për Canën mund të fillojë një tjetër aventurë, këtë herë në Bundesligë.
Saturday, 19 March 2011 08:52