Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, është munduar që të shohë gjërat pozitive të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës, ndonëse rezultati lë shumë pak vend për dyshime. Sipas tij, ishin episodet e vogla që bënë diferencën në favor të ekipit zviceran.
“Kemi bërë një lojë të mirë, e cila në këndvështrimin tim është për t’u vlerësuar. Kishim disa vështirësi në minutat e para, por deri në momentin që kundërshtari shënoi golin e parë mendoj se ishim të barabartë në fushën e blertë. Pas këtij çasti, mendoj se jemi goditur disi psikologjikisht dhe jemi bërë më inferiorë, megjithatë nuk kemi lëshuar shumë. Me fillimin e pjesës së dytë ishim edhe më të qartë në lojën tonë dhe filluam të krijonim disa raste të mira përpara portës, duke e vënë mbrojtjen dhe portierin kundërshtar në një pozitë të vështirë. Ndërsa, nëse do të kishim pasur edhe pak fat, sigurisht që do të kishim shënuar. Por, në momentin tonë më të mirë erdhi edhe ndëshkimi, ku për një gabim në mbrojtje gjyqtari akordoi një 11-metërsh. Goli i dytë i ndeshjes, pothuajse e mbylli lojën, megjithatë në vazhduam të kërkonim një gol, i cili nuk erdhi”, ka treguar kapiteni i kuqezinjve pas ndeshjes.
Ai ka dashur të flasë në emër të skuadrës për të falënderuar tifozët e pranishëm dhe ka treguar se ekipi ka bërë maksimumin për të respektuar të gjithë ata që mbështetën Shqipërinë në stadiumin e Lucernës.
“Kishim një detyrim në këtë ndeshje për tifozët tanë. Sinqerisht i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre të gjerë, pasi na u duk sikur luanim në stadiumin tonë. Synimi ynë kryesor ishte që t’i kënaqnim ata me një rezultat pozitiv, por ne nuk e arritëm, edhe pse luajtëm mirë. Në dy ndeshje kemi pësuar tre gola, të cilët për mendimin tim mund t’i ishin shmangur, pasi kanë ardhur si pasojë e gabimeve që kemi bërë në mbrojtje”.
“Kjo humbje duhet harruar sa më parë dhe duhet të shikojmë përpara për dy ndeshjet e tjera që do të luajmë në stadiumin tonë. Kemi tifozë të mrekullueshëm, që na ndjekin gjithmonë dhe na japin forcë. Ne duhet të bëjmë paraqitje të mira edhe për ata. Mendoj se Kombëtarja jonë ka mundësi të mëdha që këtë vit ta mbyllë në kuotën e katër ose gjashtë pikëve. Por më parë duhet të punojmë të gjithë së bashku me trajnerin De Biazi për të korrigjuar gabimet”, deklaroi Cana. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 September 2012 19:34