Xhixhi Bufon i ka vënë vetes si qëllim që pas dy vitesh të jetë përsëri në majat më të larta dhe të marrë pjesë në Botërorin që zhvillohet në Brazil. Portieri italian e ka konfirmuar këtë fakt gjatë prezantimit të stafit drejtues së skuadrës të Karrarezes, të cilën e ka blerë gjatë kohëve të fundit.
“Botërori në Brazil? Nëse keni parë Evropianin, do ta keni krijuar një ide nëse do të jem apo jo aty pas dy vitesh”, ishte batuta e Bufon, i cili ka shkëlqyer në aktivitetin që u zhvillua pak javë më parë duke ndihmuar përfaqësuesen italiane të shkojë deri në finalen e turneut.
Portieri që është ende me pushime pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në Euro 2012, ka folur edhe për atë që e pret pas kthimit në stërvitje të Juventus, me një sezon që fillon me objektiva krejtësisht të ndryshëm nga ato të viteve të mëparshme.
“Pres me padurim t’i bashkohem shokëve në stërvitje, pasi kanë kaluar shumë ditë që nga hera e fundit kur kam qenë në fushën e lojës. Merkato? Nuk përmend emra, kemi klubin numër 1 në Itali dhe drejtues të mëdhenj. Marota është i shkëlqyer në sektorin e tij dhe di se çfarë duhet bërë, jam i qetë dhe kam besim të madh te klubi”.
“Objektivat e mi? I kam vënë objektiv vetes që mes kombëtares dhe Juventusit, në këtë sezon të luaj të paktën 50 ndeshje”, tha portieri i cili në vitet e fundit ka pësuar disa dëmtime që e kanë lënë shpesh për një periudhë të gjatë jashtë fushës së lojës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 12:30