Xhanluixhi Bufon ka bërë të qartë se nuk do të qëndrojë duarkryq përballë akuzave ndaj tij, duke vendosur që të flasë para gazetarëve rreth çështjes së transferimit të 1.5 milionë eurove në llogarinë e një miku të tij që ka pikë bastesh sportive.
“Ka qenë një javë shumë e vështirë, ky është realitet, nuk kemi pse të fshihemi. Por në këto momente dalin në skenë burrat e vërtetë. Nuk kam frikë, jam i gatshëm kur është nevoja për të luftuar. Nuk kam çfarë të shpjegoj asgjë, është gjithçka shumë e qartë: shpenzimet e mia, qofshin ato koleksione orësh, pikturash, apo ndihma ndaj një miku për të blerë tokë, janë të gjitha çështje të miat personale. Nuk jam në hetim, por me sa duket dikujt i pëlqen të vërë në qarkullim lajme të tilla. Kjo do të thotë se shpenzimet e ardhshme personale do të jem i detyruat t’i komunikoj më parë në media”, ishte batuta e Bufon.
Më pas, ai ka folur se kjo situatë është shumë e rëndë për të gjithë grupin e përfaqësueses italiane.
“Grupi e kuptoi se nuk është një moment krejtësisht normal, ka diçka që zien poshtë pasi një futbollist në çdo 5-6 prej nesh është sulmuar gjatë këtyre ditëve. Kam qenë shumë i zemëruar por po ju tregoj se nuk kam bërë asgjë të keqe, nuk kam vrarë njeri dhe gjithçka është e qartë. Spekulohet dhe luhet në kurriz te njerëzve, po këto gjëra nuk më kanë pëlqyer kurrë”, tha portieri i përfaqësueses italiane. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 12:30