Një shishe uiski në ditë! Kjo është sasia e jashtëzakonshme e alkoolit që mbrojtësi brazilian Breno konsumonte në periudhën para se vila e tij të shkatërrohej nga zjarri.
Ky përfundim ka dalë nga procesi gjyqësor që sheh futbollistin si të pandehur me akuzën se i ka vënë zjarrin me dashje banesës që kishte me qera në lagjen e Gruanvald.
Sipas psikologut Ahen Hening Sap, këshilltar gjatë procesit, lojtari kishte dy vite që konsumonte alkool rregullisht. Por sasia “kufizohej”në një shishe uiski në javë.
Me kalimin e kohës, për shkak të transferimit në formë huazimi nga Bajern te Nyremberg dhe dëmtimet e vazhdueshme, Breno hyri në një fazë depresioni që e ka shtyre të pinte gjithmonë e më shumë. Braziliani ka pranuar se ka arritur të pijë deri në 10 birra dhe një shishe uiski në ditë.
Nëse ai shpallet fajtor për akuzën e zjarrvënies me dashje, Breno rrezikon nga 1 deri në 15 vite burg, pa harruar edhe pagesën e dëmeve për rreth 1milion euro. Lacio, një nga skuadrat që interesohej për lojtarin 22 vjeçar, vazhdon të jetë në pritje të përfundimit të procesit, për të parë nëse duhet të presë futbollistin apo të shohë për pista të tjera.
Futbollisti i blerë nga Bajern Mynih për 12 milionë euro kur ishte vetëm 17 vjeç, ka djegur me sjelljet e tij një karrierë shumë premtuese, ndërsa është bërë protagonist i ngjarjeve jashtë fushës së lojës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 15:01