Ndeshja miqësore mes Brazilit dhe SHBA është kthyer në një spektakël për yllin e ri të kombëtares latino-amerikane, Neimar, i cili ka udhëhequr ekipin e tij drejt suksesit 4-1.
Sulmuesi brazilian ka qenë autor i golit të parë në minutën e 12-të kur ka kaluar në avantazh skuadrën e tij falë një 11-metërshi. Më pas, ai ka harkuar saktësisht në zonë një goditje nga këndi duke gjetur Tiago Silvën, i cili me kokë dërgoi rezultatin në 2-0 në minutën e 26-të.
Herkules Gomez ngjalli shpresën në radhët e ekipit amerikan me golin e tij në minutën e 45-të, ndërsa skuadra e drejtua nga Klinsman krijoi disa raste radhazi për të shënuar në pjesën e dytë, të ndalur vetëm nga portieri Rafael, që debutoi në radhët e “Seleçao”.
Më pas ishte përsëri Neimar që u bë protagonist, duke dhënë një pasim të saktë për Marselon që shënoi golin e tretë të Brazilit. Në fund, kishte pak lavdi edhe për Aleksandre Pato, që kthehet të buzëqeshë pas një viti zhgënjyes, pasi ai arriti të shënonte golin e katërt për Brazilin kur mbeteshin vetëm 3 minuta deri në mbylljen e kësaj miqësoreje. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 08:40