Trajneri i përfaqësueses braziliane, Mano Menezes, po bëhet gati të përballet me kritika të ashpra dhe thirrje të tjera për dorëheqje, pasi kombëtarja që ai drejton e pati shumë të vështirë të siguronte një fitore minimale 1-0 kundër Afrikës së Jugut në miqësoren e zhvilluar dje.
Hulk shënoi në pjesën e dytë të takimit për t’i dhënë pesë herë kampionëve të botës këtë sukses, por rezultati nuk kënaqi absolutisht tifozët të cilët vërshëllyen në kor kundër lojtarëve. 50 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin Morumbi kritikuan ashpër lojën e ekipit dhe vërshëllyen edhe në momentin e shënimit të golit në minutën e 75-të të ndeshjes.
Për më tepër, ishte ekipi i Afrikës së Jugut që krijoi rastet më të mira për të shënuar në këtë sfidë, duke vënë në vështirësi portierin Diego Alvesh, i cili u detyrua të bënte disa pritje të shkëlqyera për të shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt.
Kjo ka bërë që kritikat kundër Menezes të ashpërsohen, duke e cilësuar një trajner të dështuar, pasi i kujtojnë atij se me një kombëtare të tillë, duket e pamundur që të fitohet Botërori që organizohet në Brazil pas dy vitesh. Vazhdimi i qëndrimit të tij në stolin e Braziit është vënë në dyshim që në momentin kur kombëtarja u mund nga Meksika në finalen e Lojërave Olimpike, duke humbur për të disatën herë mundësinë për të fituar arin olimpik në futboll. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 September 2012 12:01