Klarens Sedorf me sa duket ka vendosur të heqë dorë nga fanella me numrin 10 e Milanit dhe të udhëtojë drejt Brazilit për t’u bërë pjesë e skuadrës së Botafogos.
Marrëveshja mes dy palëve dukej se ishte lënë në harresë pasi futbollisti holandez nuk kishte hequr dorë nga ideja se mund të rinovonte për të paktën edhe një sezon me kuqezinjtë e Milan.
Por është mësuar se një nga përfaqësuesit e lojtarit ka mbërritur në Rio De Zhaneiro të martën dhe është në bisedime me presidentin e Botafogo, Mauricio Asumpcao.
Sipas portalit “Lancenet”, burime brenda këtij klubi janë shprehur optimiste se marrëveshja mund të mbyllet gjatë kësaj jave dhe futbollisti holandez do t’i bashkohet shumë shpejt klubit të tij të ri për të marrë pjesë në kampionatin brazilian të futbollit.
37 vjeçari Sedorf ka qenë pjesë e Milanit që nga viti 2002, duke u bërë një element thelbësor në sukseset kombëtare dhe ndërkombëtare të kësaj skuadre. Por gjatë sezonit të fundit ai është përdorur shumë pak nga trajneri Alegri, ndërsa pranoi se ka patur mosmarrëveshje me të në javët e fundit të sezonit, ku përfundoi duke ndjekur ndeshjet në tribunë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 10:50