Borusia Dortmund ka vendosur që në të ardhmen të mos pranojë më vendosjen e klauzolave të largimit në kontratat e futbollistëve që do t’i bashkohen kësaj skuadre. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe presidenti i klubit, Hans Joakim Uatzke, i cili sqaroi se gjithçka ishte vendosur për të evituar raste të reja si ai i Gëtze. Mesfushori i përfaqësueses gjermane do të transferohet te Bajern Mynih në fund të këtij sezoni, duke shfrytëzuar pikërisht klauzolën e largimit në kontratën e tij, pasi t’i paguajë klubit 37 milion euro.
“Pas fitores së dy kampionateve, Kupave e Superkupave, si dhe arritjes në finalen e Ligës së Kampioneve, tani mendoj se mund t’i mbajmë të lidhur lojtarët në klubin tonë pa i lënë një mënyrë të tillë largimi”, tha Uatzke. Ai nxori si shembull futbollistët e tjerë të kombëtares gjermane si Mats Humels, Sven Bender dhe Marcel Shmelcer, të cilët kanë kërkesa të shumta nga klubet e tjera, por nuk kanë klauzola largimi në kontratën e tyre dhe nuk mund të veprojnë si Gëtze, që bëri gjithçka pa dijeninë e klubit dhe thjesht i lajmëroi se do të largohet.
Shqetësimi më i madh i Borusia Dortmund për momentin ka lidhje me transferimin e Robert Levandovski, i cili ka një kontratë edhe për sezonin e ardhshëm dhe ka bërë të ditur se nuk do të rinovojë. Ndonëse është folur se Levandovski ka rënë dakord me drejtuesit e klubit për t’u larguar edhe ai, Uatzke e ka hedhur poshtë një ide të tillë.
“Nuk ka asnjë klauzolë largimi apo një marrëveshje të ngjashme, as me shkrim e as verbale”, konfirmoi Uatzke. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 17:36