Fabio Borini e ka cilësuar si zgjedhjen e duhur vendimin për t’iu bashkuar Liverpulit, duke u bërë blerja e parë e re për trajnerin Brendan Roxhers te skuadra legjendare angleze.
“Firma këtu është një ndjesi e mirë, pasi dëshiroja të kthehesha një ditë përsëri në Angli”, tha lojtari i cili ka dalë nga akademia e Çelsit dhe ka luajtur edhe me Suonsin. “Kthimi këtu me fanellën e Liverpulit është një gjë edhe më e mirë pasi mund t’u tregoj njerëzve çfarë jam në gjendje të bëj, do të luajmë për Europa League dhe objektiva të tjerë të rëndësishëm”.
“Shpresoj të arrij maksimumin këtu, duke shënuar gola, duke u kualifikuar në Ligën e Kampioneve dhe të gjithë objektivat që synon klubi. Liverpuli është një klub i madh që ka fituar shumë trofe në të kaluarën, ndërsa shpresoj që këtu ta bëj një gjë të tillë në të ardhmen”.
Vetë trajneri Roxhers, i cili ka qenë personi që insistoi për blerjen e lojtarit italian gjatë merkatos, tregoi se ky ishte sinjali i qartë që Liverpuli vazhdon të jetë tërheqës për futbollistë të rëndësishëm.
“Fabio është modeli mbi të cilin në mendojmë të ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen. Ai ka talent, është 21 vjeç, shënon gola dhe pasioni e përqendrimi i tij janë të rëndësishëm për mënyrën se si luan. Të largohesh nga Roma pasi je shfaqur mirë për atë klub të madh, tregon se sa tërheqje vazhdojmë të kemi ne si një klub futbolli”, tha Roxhers. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 13:20