Bordi drejtuesi i Bajern Mynih ka marrë sot vendimin që të mbajë Uli Hënes si president të skuadrës bavareze, duke refuzuar letrën e dorëheqjes së tij nga ky post pas skandalit të evazionit fiskal në të cilin ai është përfshirë.
61 vjeçari ka bërë publike dëshirën e tij para bordit drejtues në një mbledhje të zhvilluar sot në zyrat e klubit, por ajo është hedhur poshtë.
“Uli Hënes i ofroi sot bordit supervizor që të largohej nga detyra e presidentit të klubit derisa të merrej një vendim rreth çështjes ku ai ka lajmëruar vetë autoritetet për shkelje në pagimin e taksave. Uli Hënes shprehu keqardhje rreth kësaj çështje dhe i kërkoi falje bordit. Në interesin e FC Bajern, me qëllimin për t’u përqendruar plotësisht vetëm në objektivat e klubit që janë finalja e Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Gjermanisë, bordi supervizor ka vendosur që Uli Hënes të vazhdojë të mbajë detyrën e presidentit të klubit”, shkruhej në deklaratën e publikuar nga vetë klubi gjerman.
Megjithatë, mediat gjermane kanë bërë të ditur se nënkryetari i bordit, Karl Hopfner, është gati të marrë drejtimin e klubit nëse situata ndryshon. Ndonëse mospranimi i dorëheqjes së Hënes ishte një akt disi formal nga klubi, bavarezët mund t’i japin lamtumirën Hënes nëse ky iu fundit përfundon në burg.
Sipas burimeve të mediave, prokurori i çështjes nuk ka pranuar një akord për një gjobë të rëndë dhe një vit burg me kusht, pasi kërkon medoemos që Hënes, duke qenë një figurë e njohur publike, të përfundojë pas hekurave si çdo qytetar i thjeshtë që bën shkelje të këtyre përmasave. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 May 2013 19:48