Shkodër – Boksi shqiptar, e në mënyrë të veçantë ai shkodran ka korrur një sukses të merituar në Turneun Ndërkombëtar të Boksit të zhvilluar në Shkup të Maqedonisë. Në aktivitetin tradicional “Gongu i Artë”, në të cilin Shqipëria ka marrë pjesë edhe herë të tjera, dy boksierët e talentuar shkodranë, Astmer Bilali dhe Kristian Demaj janë shpallur kampion në peshëat e tyre përkatëse.
Bilali, ka konkuruar në peshën 69 kg, dhe në tre ndeshje të programit të tij i ka fituar që të tria duke merituar medaljen e artë. Me medaljen e artë është nderuar edhe boksieri tjetër i klubit Vllaznia, Kristian Demaj, i cili duke konkuruar në peshën deri në 91 kg, pas kualifikimit në turin e parë, ka fituar dy ndehsje të vështira radhazi duke u shpallur fitues i medaljes së artë në peshen e tij. Krahas medaljeve të arta, dy boksierët shkodranë kanë përfituar secili nga 600 euro shpërblim të vënë në dispozicion nga organizatorët.
Në suksesin e arritur nga dyshja e boksierëve shkodranë, padyshim që ka një meritë të veçantë edhe trajneri i Vllaznisë, Zef Gjoni, i cili në cilësinë e trajnerit të kombëtares shqiptare shoqëroi përfaqësuesesn tonë në Maqedoni.
Në përbërje të kombëtares shqiptare të boksit kanë qënë edhe dy boksierë të tjerë të klubeve të kampionatit shqiptar, Taulant Zajmi dhe Serxho Sina.
Sina, i cili është përfaqësues i klubit Tirana, konkurues në peshën deri në 64 kilogram ka bërë një figurë shumë të mirë sportive duke fituar dy ndeshjet e para kualifikuese, por është mundur në finale. Vendi i dytë dhe medalja e argjendë për vetë moshën e re që ai ka, përbën një sukses për këtë boksier.
Boksieri i katërt, pjesë e formaciojit të Shqipërisë në Turneun “Gongu i Artë” i zhvilluar në Shkup të Maqedonisë, është Taulant Zajmi i Partizanit. Ndryshe nga të tjerët, Zajmi nuk ka shfaqur formën e duhur sportive dhe duke i humbur takimet eleminatore është skualifikaur për më tej.
Me dy medalje të arta dhe një të argjendtë, kombëtarja e Shqipërisë ka qënë më të spikaturat në turneun e Maqedonisë, dhe për këtë, organizatorët nderuan trajnerin e kuqezinjëve të Shqipërisë, shkodranin Zef Gjoni, me një kupë personale.
Sunday, 13 November 2011 19:25