Erjon Bogdani mund të jetë shumë pranë ndërrimit të skuadrës gjatë merkatos së janarit. Për futbollistin e përfaqësuese shqiptare të futbollit ka një interesim të madh nga Leçe, e cila javën e ardhshme do të bëjë një ofertë zyrtare për sulmuesin.
Bogdani ka edhe 6 muaj të mbetur nga kontrata e tij me skuadrën e Çezenës, por ai nuk e ka të sigurt vendin në formacion dhe klubi dëshiron që ta largojë. Për këtë arsye, ai mund të zgjedhë t’i bashkohet Leçes e cila i garanton një vend në formacion përkrah të riut të talentuar Muriel dhe fantazistit Di Mikele.
Gjithsesi, mediat italiane kanë bërë të ditur se këtë javë atij do t’i jepet një tjetër shans nga Çezena, pasi pritet ta nisë si titullar ndeshjen e fundjavës kundër Udinezes.
Bogdani deri tani ka refuzuar ofertat që i kanë ardhur nga Seria B ku Modena dhe Vareze i kanë ofruar atij një fanellë titullari për pjesën e mbetur të sezonit, pasi sulmuesi dëshiron që të aktivizohet vetëm në Serinë A. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 19:04