Tiranë – Erjon Bogdani e mbylli me gol kampionatin italian me Çezenën. Sulmuesi shqiptar realizoi në humbjen 3-2 të skuadrës romanjole në fushën e Xhenoas, në sfidën e fundit për këtë sezon të Series A.
Bogdani pësoi një ndërhyrje të parregullt brenda zonës kundërshtare dhe u tregua i saktë nga penalltia, që mori përsipër ta gjuajë vetë. Golin tjetër për Çezenën e shënoi Himenez.
Me tetë golat e realizuar në këtë sezon, Erjon Bogdani ka dhënë një ndihmesë të vyer për Çezenën në arritjen e synimit kryesor: qëndrimin mes më të mirëve të futbollit italian edhe për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, dy javë para fundit, skuadra e Arka Gdynia, ku luan fantazisti shqiptar Ervin Skela, i largohet fundit të tabelës, madje duke dalë jashtë zonës së ftohtë. Arka arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj kundërshtarit direkt në luftën për mbijetesë, Polonia Bytom, duke e mundur 2-1.
Me këtë fitore, skuadra e Skelës ngjitet në vendin e 14-të me 28 pikë, një më shumë se Polonia, që tashmë ndodhet në zonën e rënies nga kategoria.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fundin e kampionatit, Arka është shumë pranë shpëtimit. Ndërkaq, Skela ka luajtur për 60 minuta, duke patur një paraqitje shumë të mirë.
Ndërsa, Rapidi i Vjenës së Hamdi Salihit dhe Atdhe Nuhiut ka shkaktuar një incident të vërtetë, teksa ndeshja e tyre përballë rivalëve të Austrisë së Vjenës u ndërpre në minutën e 26-të pasi tifozët hynë në fushë në shenjë proteste, kur Rapidi po humbiste 2-0.
Monday, 23 May 2011 11:39