Kevin Prins Boateng në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën Milanit, për t’u kthyer përsëri në Angli. Mesfushori ganez ka një kontratë deri në vitin 2014 dhe zënkat e tij të fundit publike me tifozët e skuadrës kanë bërë të qartë se nuk ka ndër mend që ta rinovojë atë.
Çdo kontakt mes klubit italian dhe menaxherit të tij ka dështuar gjatë kohëve të fundit dhe për këtë arsye Milani ka vendosur që të pranojë ofertat për futbollistin, i cili nuk shihet më si i domosdoshëm në skemat e skuadrës.
Kuqezinjtë planifikojnë që të luajnë me një sulmues (Balotelin) e dy gjysmë-sulmues (El Sharaui e Niang), që do të thotë se loja ofensive e Boateng nuk është më e nevojshme, pasi me katër lojtarë me tipare ofensive në formacion, ekipi do të humbte plotësisht ekuilibrin.
Ndaj mesfushori 25 vjeçar do të sakrifikohet, duke parë se nga shitja e tij do të përfitohen rreth 15 milion euro. Për lojtarin interesohen sidomos klubet angleze, ku Mançester Siti, Arsenali dhe Liverpuli kanë kërkuar prej kohësh informacione rreth tij. Tani mbetet të mësohet se cila është preferenca e futbollistit, i cili dëshiron të jetë protagonist në Ligën e Kampioneve dhe kjo do të ndikojnë në zgjedhjen e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 18:28