Presidenti i FIFA-s, Sep Blater ka përshëndetur vendimin e aprovimit të teknologjisë për vijën e portës, duke cilësuar Frenk Lampard si personin me kontributi më të madh në këtë drejtim. Dy sistemet e aprovuara do të vihen në funksion që në ndeshjet e Botërorit të Klubeve të këtij viti.
Ndonëse Blater ka qenë një nga personat më këmbëngulës kundër teknologjisë në futboll, ai ka treguar se goli që nuk u akordua në favor të mesfushorit anglez në Botërorin 2010 ishte ajo që e bëri të ndryshonte plotësisht mendim.
“Për mua, si president i FIFA-s, gjithçka u bë më evidente pas asaj që ndodhi në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Më duhet të them ‘Faleminderit Lapard!’. Isha shumë i zhgënjyer në Afrikën e Jugut kur e pashë atë moment, u trondita dhe mu desh një ditë që të reagoja për ngjarjen. E njëjta gjë ndodhi në Ukrainë pak ditë më parë dhe ukrainasit nuk e besojnë ende tani se si nuk u dha një gol në favor të tyre”, ishin fjalët e presidentit të FIFA-s.
Ndërkohë, të parët që kanë kërkuar vënien në përdorim të kësaj teknologjie kanë qenë klubet angleze të futbollit, që kanë pritur me padurim vendimin dhe kanë kërkuar zyrtarisht implementimin e kësaj teknologjie në kampionatin vendas sa më shpejt që të jetë e mundur. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 08:01