Sezoni i shkëlqyer i Hatem Ben Arfa me Njukasëll i ka fituar atij të drejtën të jetë pjesë e kombëtares franceze të futbollit në Euro 2012. Zyrtarizmi ka ardhur pasi trajneri i kësaj përfaqësueseje, Loran Blank, ka publikuar listën me emrat e 12 futbollistëve që luajnë jashtë Francës, të cilët do të jenë pjesë e përfaqësueses.
“Besoj se ka arritur një nivel të ri, si lojtar dhe si person. Ai është më i pjekur, i ndërgjegjshëm për talentin e tij, por që duhet ta transferojë atë në përftim për skuadrën, jo vetëm për veten e tij. Lojtarë me aftësi të tilla bëjnë diferencën dhe janë të vështirë për t’u gjetur”, ishin fjalët e Blank në prezantimin e gjysmës së parë të listës së tij për Euro 2012.
Ben Arfa është ribashkuar me “gjeneratën e artë” të lojtarëve të lindur në vitin 1987, e cila më vonë do të fitonte Kampionatin Evropian U-17, mes të cilëve figurojnë emra si Karim Benzema dhe Samir Nasri.
Blank ka vendosur të lërë jashtë sulmuesin Xhibril Cise, i cili ka kaluar një sezon shumë të dobët me Lacion dhe QPR, ashtu si edhe sulmuesin tjetër, Luis Saha, që ka patur probleme të vazhdueshme me dëmtimet. (LajmeShqip.com)
12 LOJTARËT QË LUAJNË JASHTË FRANCËS
Filip Mekses (Milan), Adil Rami (Valencia), Patris Evra (Mançester Junajtid), Gael Klishi (Mançester Siti), Loren Koshçielni (Arsenal), Junes Kabul (Totenhem), Florent Malouda (Çelsi), Samir Nasri (Mançester Siti), Hatem Ben Arfa (Njukasëll), Johan Kabaje (Njukasëll), Frank Riberi (Bajern Mynih), Karim Benzema (Real Madrid).
Thursday, 10 May 2012 08:40